Friday, April 18, 2008

Ëndrra që u bë realitet

Ndoshta për ju duket e çuditshme dhe aspak e vërtetë, por këto janë vargje, të cilat nuk do të shuhen kurrë. Këto vargje janë si lule që nuk vyshket asnjëherë. Askush nuk mund ta ndalojë atë që të nxjerrë gjethe të reja e ta jetojë jetën plot gjallëri. Këto vargje i ka krijuar mendja e shpiri im dhe i shkroi në letër dora ime. Pra, kjo është një ëndërr e imja që u kthye në realitet.

Frymëzimi më vjen ngado. Nga maja e stilolapsit, fletët, shkronjat dhe çdo gjë tjetër që mbulon botën. Një nga frymëzimet e mia më të mëdha është qyteti im, Saranda. Besoj e keni parë apo keni dëgjuar për këtë qytet të mrekullueshëm buzë detit Jon.

Saranda është një nga qytetet më të bukura jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit e Europës. Mbreti i këtij qyteti që nuk e mund dot njeri, është deti që shtrihet përballë si një sundimtar që nuk do t’ia dijë për askënd, i pathyeshëm dhe padyshim magjepsës. Por asgjë nuk mund të arrijë atë që është pasuria më e rëndësishme, më e shenjtë për mua, familja ime, njerëzit e mi.

Kudo që shkoj ata i kam përpara, i kam në trupin e në mendjen time. Nuk e di, por asnjëherë nuk më është ndarë kjo ndjesi, ata janë brenda vetes sime. Ata janë kudo…

"Loti i trëndafilit" është libri im i dytë dhe unë ndihem shumë i lumtur për këtë. Ndihem sikur tërë trëndafilat e botës lotojnë nga gëzimi i suksesit tim.

Tashmë lulëzimet e hershme dhe frytet e ardhshme kanë çelur. Çdo njeri ka një frymëzim të tijin. Edhe unë kam frymëzimet e mia. Çdo pyetjeje i kam kthyer një përgjigje dhe çdo pse-je i kam dhënë një arsye në jetën që kam jetura gjer më sot.

Tani ndihem i lumtur për zogun që jeton jashtë kafazit dhe vjen e më viziton gjithmonë, edhe kur hëna dhe nata mbizotërojnë gjithçka.

Të shkruaj poezi është për mua një gjë fantastike. Më besoni. Por mbas gjithë këtij rrëfimi për librin mbase ju duhet të dini pak më shumë edhe për veten time. Unë studioj ne shkollën "Dea 2001", në Sarandë. Dëshira për të bërë poezi më hyri që në moshë të vogël. Dëshirat e mia për të ardhmen janë shumë të mëdha, por unë akoma nuk kam vendosur se si do të jetë e ardhmja ime, ndoshta është shumë shpejt.

Më kujtohet vazhdimisht poezia ime e parë që ia kam kushtuar nënës. Mos i harroni kurrë nënat! Duajini shumë! Nëna është një person që ia vlen ta respektosh, të jesh i sinqertë para saj, të bësh çdo gjë për të, sepse dhe ajo do të bënte të njëjtën gjë për ty.

Që nga përfundimi i librit të parë e deri tani ka qenë një periudhë fantastike dhe e paharrueshme. Kam shkruar shumë. Nuk ka qenë aspak e mundimshme për mua që të shkruaja poezi apo dhe ese…

Fillimisht, kur unë zura të shkruaja poezi, isha në një moshë të vogël, jam ndier mjaft i emocionuar. Çdo ditë e jetës më dukej më e bukur se tjetra kur isha i frymëzuar dhe krijoja vargje për dashuritë, dëshirat dhe ëndrrat e mia…

Më kujtohet veçanërisht data 20. 01. 2007. Isha në promovimin e librit tim të parë. Midis të tjerëve ka folur dhe redaktori i librit tim "Zogu dhe Kafazi", poeti Bardhyl Maliqi. Ai foli shumë bukur për mua, aq sa u ndjeva i mrekulluar.

Libri im i parë "Zogu dhe Kafazi", është me të vërtetë mjaft i bukur. Të paktën kështu më kanë thënë ata që e kanë lexuar. Këtë besoj edhe unë. Po ju them se edhe libri im i dytë "Loti i trëndafilit", do t’ju pëlqejë shumë. Lexojeni. Kam besim se do t’ju pëlqejë se e kam shkruar me gjithë shpirt. Si ta keni lexuar këtë libër, patjetër do të vëreni seriozitetin e fituar te vargjet e poezive që kam shkruaj.

Falënderoj mësuesen time Najada Caushi që më redaktoi librin tim të dytë dhe me gjithë respektin dhe dashurinë që kam për të, e përshëndes gjithmonë me poezinë më të bukur.

Kostaq Myrtaj

No comments: